Komuna e Strugës ishte nikoqirja e sivjetme e Ditës së Liqenit të Ohrit që shënohet çdo 21 qershor.
Kryetari i Strugës, Mendi Qyra, tha se ka shumë punë që duhen bërë rreth bregut të liqenit, gjersa përmendi edhe kontrollin e plazheve që të jenë në shërbim të qytetarëve.

“Ne patjetër duhet të vendosim rregull rreth plazheve dhe për atë për fat të keq nuk kaloi si vendim në Këshillin e Komunës së Strugës për të marrë së paku kontrollin e plazheve por më vonë edhe pronësinë e plazheve për të rregulluar të gjithë bregun e liqenit të Strugës, që për fat të keq, me vite të tëra është krijuar”, deklaroi Mendi Qyra – kryetar i Komunës së Strugës.

Kryetari Bashkisë së Pogradecit foli për një projekt që, sipas tij, do të jetë i një rëndësie të madhe – lidhja e tre qyteteve me linja të rregullta ditore me anije.

“Bashkëpunimi i Bashkisë sonë me dy komunat e Ohrit dhe Strugës ka të bëjë me një bashkëpunim të mirë për të shfrytëzuar të gjitha resurset që kanë të tria këto bashki t’i ndihmojmë qytetarët tanë për të rritur sa më shumë turizmin dhe ekonominë e tyre”, u shpreh kryetari i Komunës së Pogradecit, Ilir Xhakolli.

Komuna e Ohrit fokusin e vuri tek shtegu i biçikletave që lidh Strugën dhe Ohrin.

“Kemi probleme të përbashkëta te cilat duhet t’i zgjidhim bashkërisht në interes të tre qyteteve sepse kemi edhe projekte që duhet ti punojmë sepse do t’i lidhin të tre këto qytete. Kemi lidhjeve shtigjeve të biçikletave në mes të dy qyteteve ata gjithashtu diskutojnë edhe për lidhje me anijet, linjë përmes Ohrit, Strugës dhe Pogradecit”, theksoi zëvendës kryetarja e Komunës së Ohrit, Ana Krsteska.

Liqeni i Ohrit është një më të vjetrit dhe më të rëndësishmit në Evropë. Në ditën e tij, 21 qershor, synohet rritja e ndërgjegjësimin për mbrojtjen e biodiversitetit dhe pasurive natyrore të këtij ekosistemi unik.