Anëtarja e Kryesisë së Bashkimi Demokratik për Integrim, Liridona Beqiri, ka reaguar ashpër ndaj shpalljes së Ansamblit Muzikor në Tetovë si institucion me “kapacitet të kufizuar”, duke e cilësuar këtë vendim si pasojë e neglizhencës së vazhdueshme institucionale dhe mungesës së vullnetit politik për ta mbështetur kulturën shqiptare.

Në reagimin e saj publik, Beqiri thekson se Ansambli Muzikor në Tetovë është lënë për vite me radhë pa mbështetje, pa investime dhe pa përmbushjen e premtimeve për punësime të reja, duke krijuar një boshllëk artificial që sot po përdoret si justifikim teknik për ta zbehur rolin e tij.

“Së pari e lanë pa frymë, pastaj e shpallin të panevojshëm. Kjo është një diagnozë elegante për një neglizhencë të gjatë,” – thuhet në deklaratë.

Ajo shton se institucioni nuk vuan nga mungesa e trashëgimisë apo strukturës, por nga mosrealizimi i mbi 40 vendeve të punës të parapara ndër vite, duke e kthyer atë nga një përgjegjësi shtetërore në një statistikë të neglizhuar.

Beqiri ka kritikuar gjithashtu deklaratat politike që, sipas saj, relativizojnë rëndësinë e kulturës shqiptare në funksion të kalkulimeve ditore politike.

“Ansambli muzikor është më shumë se një institucion – është dinjitet, rezistencë dhe trashëgimi. Heshtja përballë kësaj nuk është mençuri, por frikë,” – thekson ajo.

Në fund, ajo u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, që të ndalojnë degradimin e institucioneve kulturore dhe të ndërmarrin hapa konkretë për forcimin dhe zhvillimin e tyre.

Sipas saj, ruajtja dhe avancimi i institucioneve ekzistuese është një detyrim moral dhe institucional, ndërsa çdo përpjekje për t’i dobësuar ato përbën cenim të drejtpërdrejtë të identitetit dhe përfaqësimit kulturor.