Lirohet me kusht Fred Beleri. Gjykata e Fierit vendosi ta pranojë kërkesën e ish kryetarit të Bashkisë së Himarës dhe njëkohësisht deputetit të Greqisë në Parlamentin Evropian, Alfred Belerin, duke e liruar atë me kusht pas 16 muajsh burgim, pasi shqyrtoi provat dhe argumente e paraqitura nga palët.

Tre seancat e mëparshme, ku Beleri ka bërë kërkesë për lirim me kusht, kanë dështuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm. Sipas avokatit të Belerit, ai kishte edhe 6 javë të mbetura, për të mbyllur dënimin e vendosur nga GJKKO. Alfred Beleri nuk e ushtroi asnjë ditë mandatin e tij si kryetar bashkie pasi u arrestua me akuzën për korrupsion zgjedhor, pak ditë para zgjedhjeve vendore të majit të 2023. Për lirimin e Fredi Belerit nga burgu ishin të pranishëm dhe kanë reaguar edhe mediat greke. “Me këtë vendim, Fredi Beleri tashmë do të mund të kryejë pa asnjë pengesë detyrat e tij në Parlamentin Evropian”, kanë shkruar ato. /Alsat.mk