Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, në emisionin Click Plus në TV21, foli për komunikimin me UNESCO dhe sfidat në procesin e mbrojtjes dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.

Ai vlerësoi se gjendja nuk është e mirë në disa aspekte, por theksoi se institucionet janë në komunikim dhe monitorim të vazhdueshëm me trupat ndërkombëtarë, duke shtuar se disa çështje do të duhet të zgjidhen në mënyrë ndryshe.

“Nuk është mirë sepse kemi mundësi t’ua shpjegojmë UNESCO-s problemet reale. Mendoj se nuk kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen”, theksoi Ljutkov.

Ai njoftoi se është paraparë një vizitë e një pjese të anëtarëve të komisionit të UNESCO-s, të cilët gjatë muajit maj pritet të vijnë në Ohër, ku nga afër do të njihen me situatën.

Sipas ministrit, qëllimi është që përfaqësuesit ndërkombëtarë ta shohin drejtpërdrejt gjendjen reale dhe sfidat me të cilat përballet rajoni.

“Kur do t’u shpjegojmë se ka probleme në disa lokacione të caktuara, siç janë çështjet me varrezat, është e rëndësishme që ata ta shohin situatën nga afër”, shtoi Ljutkov.