Gazetar: Suad Bajrami
Pesë muaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë ku humbën jetën 16 persona dhe 38 të tjerë u lënduan, Alsat mëson se gjysma e të dënuarve janë të lirë. (FOTO: Ligji për burg – te folderi im) Të akuzuarit kanë shfrytëzuar mundësinë ligjore për të kërkuar shtyrje të mbajtjes së dënimit, në bazë të nenit 89 pika 1 të Ligjit për Zbatimin e Sanksioneve i cili thotë “Me lutje të të akuzuarit, mund të shtyhet fillimi i zbatimit të mbajtjes së dënimit me burg nëse: ndodhet në mjekim spitalor për shkak sëmundjes së rëndë akute ose varësisë”.
Këtë mundësi e ka shfrytëzuar i akuzuari i parë, Durmish Beluli, përndryshe pronar i kompanisë transportuese. Ai ka marrë akt referues për të shkuar në burg një javë pas shpalljes së vendimit nga Apeli. Megjithatë, këtu nis beteja e tij ligjore për të shtyrë mbajtjen e dënimit me burg prej 10 vitesh.
Nën arsyetimin për probleme shëndetësore, Beluli në Gjykatën e Gostivarit dorëzon lutjen e parë për shtyrje, por gjykatësi e refuzon. Beluli e ankimon këtë vendim te Këshilli Penal që përbëhet nga tre gjyqtarë, por edhe ata e refuzojnë, duke e konfirmuar vendimin e gjykatësit. Por, më 3 qershor, Beluli nëpërmjet avokatëve dorëzon lutje të dytë për të shtyrë mbajtjen e dënimit, sërish për arsye shëndetësore. Gjykatësi për zbatimin e sanksioneve sërish e refuzon, ndërsa Beluli sërish e ankimon vendimin. Për të dytën herë, Këshilli Penal i jep të drejtë gjykatësit, ndërsa Belulin e urdhëron të shkojë në burg. Beluli, i pakënaqur nga vendimi, për herë të tretë dorëzon lutje për shtyrje të mbajtjes së dënimit, duke ofruar dokumentacione mjekësore. Këtë herë, gjykatësi i Gjykatës së Gostivarit e pranon lutjen dhe ia shtynë mbajtjen e dënimit për tre muaj. Sipas vendimit, më 25 shtator të vitit 2025 Beluli duhet të paraqitet në burg. Megjithatë, Beluli sërish ka mundësi ligjore të dorëzojë lutje të re për shtyrje, ndaj të cilës sërish duhet të vendos Gjykata e Gostivarit.
Me dokumentacion mjekësor, ka kërkuar shtyrje të mbajtjes së dënimit edhe Remzi Miftari, përndryshe përgjegjës për transport në kompaninë “Durmo Turs”, i cili në këtë lëndë ashtu si Beluli është i dënuar me 10 vjet burg. Akti referues për të shkuar në burg i është dorëzuar më 14 maj, ndërsa menjëherë në Gjykatën e Gostivarit ka dorëzuar lutje për shtyrje të mbajtjes së dënimit. Gjykata fillimisht e ka refuzuar lutjen e Miftarit. Nëpërmjet nëpërmjet përfaqësuesit ligjor ka dorëzuar ankesë te Këshilli Penal, por edhe Këshilli e ka refuzuar duke urdhëruar Miftarin të nis me mbajtjen e burgut. Megjithatë, Miftari dorëzon një lutje të dytë më 25 qershor. Një javë pas dorëzimit, Gjykata e Gostivarit ka pranuar t’ia shtyjë mbajtjen e dënimit për një muaj. Por Miftari nuk është ndarë i kënaqur me vendimin për shtyrje prej një muajsh dhe për këtë sërish dorëzon ankesë, ndërsa Gjykata e ka pranuar ankesën dhe shtyrjen ia ka zgjatur për 3 muaj. Sipas vendimit, Miftari duhet të paraqitet në burg më 1 tetor, por ashtu si Beluli edhe ai ka të drejtë të dorëzojë lutje të re për shtyrje, ndaj të cilës sërish duhet të vendos Gjykata e Gostivarit.
Lutje për shtyrjen e mbajtjes së dënimit ka kërkuar edhe Jane Babarovski, kontrollori teknik i cili është i dënuar me 5 vite burg. Lënda e tij udhëhiqet në Shkup, ndërsa siç mëson Alsat Gjykata Penale është në procedurë për të vendosur nëse do të pranojë ose jo shtyrjen e mëtutjeshme.
Shtyrje të mbajtjes kanë kërkuar edhe 3 të dënuarit e tjerë, por lutja e tyre është refuzuar. Shoferi Manoil Trifunovski, i cili mori dënimin më të lartë në këtë lëndë – 14 vjet burg, ka filluar mbajtjen e dënimit më 6 qershor të këtij viti. Fillimisht është paraqitur në Burgun e Idrizovës, ndërsa më pas është transformuar në Burgun e Prilepit ku aktualisht ndodhet. Prej 6 qershor, në Burgun e Idrizovës ndodhen, udhëheqësi i Stacionit të Kontrollit Teknik, Igor Gjorgjievski i cili është dënuar me 7 vjet burg, por edhe kontrollori teknik Goran Dukovski, i cili gjithashtu është dënuar me 7 vjet burg.
Aksidenti i Llaskarcës ka ndodhur më 13 shkurt të vitit 2019. Nën atmosferë të tensionuar, procesi gjyqësor zgjati 6 vite. Sipas aktgjykimit, autobusi i aksidentuar ka qenë teknikisht i parregullt, ndërsa të gjithë të akuzuarit nuk i kanë respektuar detyrimet ligjore për sigurinë e udhëtarëve. Fuqia e frenave nuk i ka përmbushur standardet minimale, ndërsa për të shmangur gjobat e autoriteteve policore, në autobus ka pasur të vendosur mjet të posaçëm – manipulues të takografit që të mos regjistrohet shpejtësia reale e automjetit. Nga ana tjetër shoferi e ka shkaktuar aksidentin si pasojë e pakujdesisë, ndërsa ka lëvizur me shpejtësi më të madhe se e lejuara. /Alsat.mk
The post “Llaskarca”, gjysma e të dënuarve në liri për arsye shëndetësore appeared first on Alsat.
