Tashmë disa ditë nga deponia “Drislla” po del tym i dendur.
Dje u vu nën kontroll, por u rindez sërish, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se ngjarja do të hetohet dhe të gjithë përgjegjësit do të dalin para drejtësisë.
“Drislla gjatë ditës së djeshme u sanua, por për disa arsye të çuditshme u ndez përsëri para fundit të natës, dhe Ministria e Brendshme do të merret me të sot. Kam pasur bisedë edhe me ministrin, jemi në kontakt me drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, dhe pres që problemi të riparohet. Ajo që me dekada nuk është sanuar, ajo që me vite askush nuk ka dhënë llogari, ja për disa ditë do ta riparojmë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti deklaroi se nëse Qyteti i Shkupit nuk mund të merret me këtë problem, ministria do të ndërmerr masa më radikale, pasi që siç u shpreh, kanë dërguar edhe inspektoratin e ekologjisë.
“Deponia Drislla është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit, Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale, në një kohë kanë qenë një tani janë dy ndërmarrje, gjatë ditëve janë dërguar edhe inspektorati i ekologjisë dhe gjatë ditëve të ardhshme do të ndërmarrim masa konkrete”, shtoi Izet Mexhiti, ninistër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Nga Ndërmarrja Publike Drislla theksuan se janë e vetmja deponi sanitare e licencuar që nuk djeg mbeturina, por i sterilizon dhe i kompreson ato me autoklavë, që do të thotë se nuk ka mundësi ndotjeje.
“I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të fillojë një hetim për të gjetur dhe sanksionuar zjarrvënësit, të cilët dyshojmë se janë të motivuar politikisht për të larguar vëmendjen nga problemet reale. Deponia e Drislla, pa incidente të tilla të qëllimshme, nuk ka potencial për ndotje dhe funksionon sipas standardeve më të larta”, thonë nga Drislla.
Edhe ditë më parë autoritetet ngritën dyshime për zjarrvënie të qëllimshme në Drislla. Përpjekjet për shuarje zgjasin tashmë 2 ditë, por uji këtu nuk bën punë, sepse në vatër zhvillohen procese kimike dhe biologjike që shkaktojnë shfaqjen e gazrave të ndezshëm, andaj nga DMSH u përpoqën me shkumë speciale.
