LSDM akuzon kryetarin e Shkupit, Orce Gjorgjievskin, për mosveprim në kohë ndaj përhapjes së etheve të Nilit Perëndimor. Sipas opozitës, dezinfektimi kundër mushkonjave është dashur të bëhej më herët, para përhapjes së virusit dhe rritjes së rasteve. LSDM e kritikon qeverisjen e VMRO-DPMNE-së për reagim të vonuar dhe kërkon përgjegjësi institucionale për situatën.
“Në vend të parandalimit në kohë, analizës në kohë dhe kontrollit sistematik të vatrave me mushkonja – kryetari edhe këtë herë u vonua. Vetëm tani iu kujtua se duhet të bëjë spërkatje kundër mushkonjave. Shkupi është nën rrethim nga mushkonjat infektuese – për shkak të reagimeve të vonuara të të parit të Qytetit. Në mes të verës, qytetarët dalin jashtë me ankth, duke pasur frikë se mund të infektohen”, u shpreh Aleksandar Davçevski, kryetar i Organizatës Qytetare të LSDM-së.
