Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Themelore në Shkup kundër shefit të Shtabit të Përgjithshëm, duke e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pengim të protestës së paralajmëruar për 7 nëntor. Aleksandar Naskovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionistë tha se shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka ushtruar presion dhe kërcënime ndaj rreth 200 ushtarëve profesionistë në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip, me qëllim që ata të mos marrin pjesë në protestë. Naskovski paralajmëroi se nuk do të tërhiqen nga kërkesat për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe të drejta të barabarta.
“Që nga momenti kur e paralajmëruam protestën për 7 nëntor, filluan presionet e pista të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat realizohen përmes Shtabit të Përgjithshëm, në njërën prej strukturave të tij. Presionet kanë filluar të ushtrohen përmes komandantëve të njësive, me kërcënime ndaj ushtarëve profesionistë që të mos dalin në protestën e 7 nëntorit, në mënyrë që të mos i realizojnë të drejtat e tyre dhe të ardhmen e tyre sociale. Pra, këto presione janë përcjellë edhe përmes kërcënimeve ndaj anëtarëve që të largohen nga sindikata, pasi në të kundërtën do të përballen me transferime përkatëse në detyra të tjera”, tha Naskovski.
Nga ana tjetër dje, Sinisha Stançevski, nënkryetar i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes, deklaroi se nuk e mbështesin atë protestë, sepse ligjërisht ajo është e zgjidhur.
“Pra, atëherë ka pasur mundësi që të gjithë ata që kanë dalë nga Armata në moshën 32, 35 apo 38 vjeç, brenda një muaji të paraqesin kërkesë për t’u kthyer në Armatë. Kishte afat për këtë. Deri më tani, asnjë ushtar profesionist, absolutisht asnjë, nuk ka mbetur në rrugë. Le të gjejë një të vetëm dhe të gjithë ne do të japim dorëheqje. Le të gjejë një që nuk është trajtuar sipas këtij neni të ligjit. Të gjithë ushtarët profesionistë janë sistemuar në përputhje me ligjin e vitit 2016, kur ai është miratuar. Ndërsa, sipas strukturës aktuale organizative, të gjithë ushtarët profesionistë që dëshirojnë të mbeten si civilë në Armatë do të sistemohen”, tha Stançevski.
Përndryshe, oficerë dhe nënoficerë, persona civilë që kanë qenë të punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në ARM, si dhe ish-ushtarë profesionistë të ARM-së, kanë paralajmëruar protestë më 7 nëntor para Qeverisë. Siç thonë, janë të pakënaqur me zgjidhjen e paralajmëruar ligjore për statusin e ushtarëve profesionistë, e cila u prezantua para disa ditësh. Kërkojnë që edhe ata të përfshihen në këtë zgjidhje, përkatësisht kërkojnë dëmshpërblime të dinjitetshme dhe të barabarta për të gjithë. Sipas tyre, bëhet fjalë për 613 veteranë të luftës.
