I akuzuari i parë në rastin “Lotaria”, Përparim Bajrami, u lirua nga paraburgimi pasi Këshilli Penal i Gjykatës Penale në Shkup ka pranuar garancinë në patundshmëri në vlerë prej 1.140.781€. Pasi prokurori kompetent dhe palët e tjera në procedurë kanë hequr dorë nga e drejta e ankesës, vendimi për t’u mbrojtur në liri është bërë i plotfuqishëm të mërkurën dhe arriti shpejt në Shutkë.

“Ende pa u mbushur dy muaj nga qendra e paraburgimit në Shkup sapo u lirua i akuzuari i parë Përparim Bajrami për lëndën ‘Lotaria Shtetërore’ dhe me një garanci prej 1,14 milion euro tani Gjykata Penale ka vendosur që masën e arrestit me burg ta zëvendësoj me masën e kujdesit të shtuar dhe si rrjedhojë i ka sekuestruar dokumentet e udhëtimit” – Adi Qaili, gazetar TV21

Përveç garancisë, Gjykata Penale i ka caktuar edhe masën e kujdesit për të siguruar praninë e tij gjatë procedurës gjyqësore. Bajramit i merret pasaporta, i ndalohet pajisja me dokument të ri për kalimin e kufirit shtetëror dhe detyrohet të paraqitet rregullisht në Gjykatë. Mbrojtja tha se vendimi është bërë i plotfuqishëm pasi në hipotekë të Kadastrës dolën shtëpia e babait të tij dhe firma e mikut.

“Bëhet fjalë për pronë të patundshme të babait të tij dhe të një subjekti juridik të një të njohuri të tij ose familjarë, ta them sinqerisht nuk e di! Jo, sepse ajo është shtëpia ku jeton dhe babai i tij kështu që prona është në emër të babait të tij dhe është patundshmëri e familjes”, tha Millanov

Kërkesën për zëvendësimin e paraburgimit me garanci, mbrojtja e kishte dorëzuar më 14 tetor. Gjatë vendimmarrjes, Këshilli Penal mori parasysh edhe afatin ligjor të paraburgimit. Nga Gjykata sqarojnë se në këtë rast paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë. Bajrami ishte vetë dorëzuar në vendkalimin kufitar të Bllacës për vuajtjen e masës më 9 shtator, prandaj afati përfundon më 8 nëntor.

Prokuroria Themelore në Shkup më 13 gusht kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”, për të cilën, sipas njoftimit të Gjykatës, parashihet dënim me burg deri në pesë vjet. Paraburgimi i ishte caktuar më herët me propozim të Prokurorisë, pasi ai nuk ishte i qasshëm për organet e ndjekjes. Me heqjen e paraburgimit dhe pranimin e garancisë, procedura gjyqësore kundër Bajramit do të vazhdojë. Seanca e radhës së “Lotarisë Shtetërore” mbahet të premten.