Gazetar: Angell Dimovski

Opozita e LSDM-së përsëri kërkon dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ata pyeten sa tragjedi duhet të ndodhin akoma që ai të japë dorëheqje. Kërkojnë përgjegjësi të menjëhershme dhe e akuzojnë drejtpërdrejt se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka arritur t’i mbrojë viktimat.

“Sa jetë duhet ende të shuhet për të pasur përgjegjësi? Sa tragjedi duhet të ndodhin që Pançe Toshkovski të japë dorëheqje? Publiku është në trishtim, në shok, por edhe në zemërim të madh. Tragjedia e fundit në lagjen Karposh të Shkupit, ku humbën jetën një nënë dhe një vajzë e mitur, tronditi gjithë shtetin. MPB-ja, nën drejtimin e Pançe Toshkovskit, nuk arriti t’i mbrojë. Për dy vite kishte denoncime për dhunë familjare, fizike dhe psikologjike ndaj të Ivanës së re. Janë dorëzuar gjithsej 12 denoncime”, thonë nga LSDM.

Kryeministri ditët e fundit deklaroi se në rastin konkret institucionet vepruan në mënyrë të duhur, ndërsa sot përsëriti qëndrimin se viktimat e dhunës në familje duhet të bëjnë denoncime dhe të mos i tërheqin denoncimet.

“Unë i lus të gjithë ata që janë viktima të çdo lloji dhune të bëjnë denoncim dhe të qëndrojnë pas denoncimit, të mos i tërheqin denoncimet që sistemi të mund të reagojë. Sepse, nëse viktima e dhunës, pa marrë parasysh nëse është viktimë e ngacmimit apo ndonjë lloji tjetër dhune fizike që nga mosha e hershme, siç e përmendët ju, në shkolla apo në familje, dhe nëse denoncimi tërhiqet, atëherë për fat të keq nuk ekziston asnjë sistem në botë që mund të reagojë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Kërkesat e opozitës së LSDM-së për dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, vijnë pas tragjedive të mëdha ku një nënë nga kati i gjashtë që hodhi veten me vajzën e saj 6-vjeçare, të cilat humbën jetën në vend, pastaj, një dhunues serial në Veles që mori dy jetë, një vrasës në Staro Nagoriçane të Kumanovës që mori pesë jetë grash, si dhe pas tragjedisë së madhe në një klub nate në Koçan, ku humbën jetën 64 persona. /Alsat.mk

The post LSDM-ja kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Toshkovskit: Nuk arriti t’i mbroj viktimat appeared first on Alsat.