Një familje me katër anëtarë në qershor i janë dashur minimum 68.654 denarë për të mbijetuar – tregon shporta sindikale minimale e LSM-së. Për ushqim janë nevojitur 25.120 denarë, ndërsa për shpenzime të shërbimeve 6.379 denarë.
“E krahasuar me vlerën e shportës minimale sindikale për muajin maj 2026, e cila arrin 68.742 denarë, është ulur për 88 denarë. Me qira për një banesë 60 metra katrorë për muajin qershor arrin 84.024 denarë”, thonë nga LSM.
Kryeministri Mickoski thotë se ajo është shportë mesatare, e jo minimale. Ministria e Ekonomisë ka përgatitur shportë minimale e cila së shpejti do të publikohet. Thotë se jemi ndër vendet në rajon me inflacionin më të ulët.
“Muaji maj, le të themi në fqinjësi ne duhet të matemi me fqinjësinë, Greqia është mbi 5 për qind inflacion, Bullgaria është mbi 6 për qind inflacion, Rumania është afër numrit dyshifror për qind inflacion. E njëjta është edhe në Kosovë dhe Kroaci. Pak më e ulët mes 3 dhe 4 janë Shqipëria dhe Serbia. Kështu që ne jemi ndër më të ulëtit në rajon”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Kryeministri pret që çmimi i karburanteve të hënën të bjerë për 4 denarë për benzinat dhe 7 për naftën. Dhe me qetësimin e krizës, sipas njoftimeve për armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit dhe deeskalim të konfliktit në Lindjen e Mesme, inflacioni tek ne të bjerë nën 4 për qind.
Qeveria do të ndjekë edhe nëse do të ulen çmimet e produkteve të tjera, pasi një pjesë e bizneseve kanë paralajmëruar se çmimet nuk do të bien shpejt edhe pas përfundimit të krizës. Kryeministri i ka thirrur në takim. Të hënën sërish në tryezë do të ulen me marketet dhe distributorët. Mickoski thotë se do të dërgojnë një mesazh të fortë për mënyrën e sjelljes së tyre në treg. Ai tha gjithashtu se janë në fazën përfundimtare ndryshimet ligjore me të cilat gjobat do të rriten dhjetëfish për tregtarët që do të manipulojnë me çmimet.
