Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në Forumin “Përtej Kufijve” u shpreh se afërsia gjeografike dhe lidhjet shoqërore e kombëtare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë duhet të ndikojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Ai tha se është paradoksale që Maqedonia e Veriut zhvillon tregti shumë më të madhe me vende të largëta si Gjermania, ndërsa bashkëpunimi tregtar rajonal mbetet i ulët, gjë që paraqet një sfidë serioze.

“Në tremujorin e parë të këtij viti këmbimi është 38 milionë euro, dhe nëse këtë e shikoni si statistikë është mirë, por duke pasur parasysh lidhjen mes dy vendeve , ne nuk jemi vetëm vende fqinjë por një pjesë e madhe e popullsisë në Maqedoni është e nacionalitetit shqiptar dhe kjo në mënyrë shtesë duhet ti lidh të dy vendet. Atëherë këto numra janë te pakënaqshëm dhe duhet të jenë shumë herë më të larta, sepse është e çuditshme kur arrijmë të bëjmë tregti me Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar”-Aleksandar Nikolloski,Ministër i Transportit

Ndërkohë Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski  thotë që bashkëpunimi duhet të jetë më i ngushtë dhe të mbyllen të gjitha boshllëqet që të formalizohet bashkëpunimi ekonomik.

“Të legalizojmë fitimin të bëjmë Maqedoninë dhe Shqipërinë një shtet dhe një etnitet që do ta rrisë përfitimin nga 207 në 1 miliard euro.  Shqipëria i parapriu infrastrukturës dhe e tërhoqi edhe Maqedoninë dhe Kosovën në infrastrukturë. E tërhoqi edhe Malin e Zi drejt ndërtimit të infrastrukturës. Tani që jemi në pikën që këto projekte të lidhen si duhet, biznesi kërkon një sfidë tjetër. Sfida e re për ne është zgjidhja të cilën njerëzit para nesh e kanë bërë edhe për 100 vite tashmë , të hapen korridoret për te gjithë vendet që nuk kanë dalje në det dhe  të pengohen çfarëdo incidentesh dhe konfliktesh dhe te zhvillohet tregtia”-

Branko Azeski, Kryetar i Odës Ekonomike

Kryetarja e Odës Ekonomike të Shqipërisë, Ines Mucostepa theksoi që marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen në mënyrë që të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Janë nënshkruar shumë marrëveshje, eliminimi i taksimit të dyfishtë, mbrojtja e investimeve te huaja që bizneset tona të operojnë bashkëpunimin. Infrastruktura, energjia, inovacioni digjital të jetë baza e komunikimit mes nesh”-Ines Mucostepa, Kryetare e Odës Ekonomike të Shqiprërisë

Forumi i biznesit “ Përtej kufijve” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u organizua nga Oda Ekonomike  e Maqedonisë së Veriut dhe Ambasada e Shqipërisë në Shkup dhe kishte qëllim forcimin bilateral mes dy vendeve në fushat e biznesit, ekonomisë, infrastrukturës./Alsat.mk

The post Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria synojnë shtim të bashkëpunimit ekonomik, infrastrukturë dhe ndryshim ligjesh appeared first on Alsat.