Maturantët e vitit shkollor 2025/2026 përfunduan provimin shtetëror të maturës në afatin e qershorit me notë mesatare 3,66. Rezultati është pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar, kur mesatarja ishte 3,69. Për dallim nga vjet, këtë vit për herë të parë provimi u zhvillua sipas modelit të ri me tri lloje të maturës: shtetërore, profesionale dhe artistike.

“Ne kemi tre lloje të ndryshme provimesh mature, mesatarja e provimit të maturës shtetërore është 3.62, mesatarja e provimit të maturës profesionale është 3.91 dhe mesatarja e provimit të maturës artistike është 3.59. Këto të dhëna do të krahasohen nga viti i ardhshëm shkollor kur do të kemi përsëri provimin e parë të këtij lloji sipas modelit të ri. Vlerë soj se rezultatet janë objektive”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe e Shkencës.

Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniella Mihajllovska, tha se për disa nxënës provimi është anuluar dhe ata do t’i nënshtrohen sërish testimit, ndërsa te disa të tjerë është konstatuar kopjim pas kontrollit të testeve.

“Ne e dimë që fëmijët kanë dy ose tre telefona, i lënë njërin dhe tjetrin. Megjithatë, të gjitha këto zbulohen lehtësisht më vonë, kështu që dua që të gjithë ta dinë se nuk mund të përdoren në atë mënyrë. Është më mirë që ata të shkruajnë 5 rreshta me atë që dinë dhe mendojnë, të shohim si mendojnë. Unë jam profesoreshë e maqedonishtes, nuk e shoh subjektivisht, nëse tema është  “Rinia dhe shoqëria”, unë shoh se si mendojnë të rinjtë”, theksoi Daniella Mihajllovska, drejtoreshë e qendrës shtetërore të provimeve.

Lidhur me rezultatet janë parashtruar 805 ankesa, ndërsa 133 nxënës kanë bërë shqyrtimin e testeve.  Afati i gushtit do të realizohet më 12 gusht, ku do të mbahet provimi i gjuhës së huaj, ndërsa më 14 gusht do të mbahet provimi i gjuhës amtare. Provimet interne dhe mbrojtja e detyrave projektuese do të zhvillohen në periudhën 17-24 gusht.

Përndryshe, provimit i janë nënshtruar gjithsej 14.587 nxënës. Prej tyre, 12.184 për provimin shtetëror të maturës, 2.276 për maturën profesionale dhe 127 për maturën artistike. 348 nxënës nuk janë paraqitur në provim.