Katër cisterna iraniane të ngarkuara me rreth 7 milionë fuçi naftë bruto kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht bllokadës së vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj porteve iraniane. Sipas kompanisë për monitorimin e trafikut detar Kpler, bëhet fjalë për anijet Hilda I, Amber, Silvia I dhe Happiness I, të cilat ishin ngarkuar në terminalin kryesor iranian të naftës në ishullin Kharg.
Anijet kaluan ngushticën të hënën me transponderët e fikur, ndërsa lëvizjet e tyre u identifikuan përmes imazheve satelitore. Zakonisht, këto cisterna transportojnë naftë drejt zonave pranë Malajzisë dhe Singaporit, ku ngarkesa transferohet në anije të tjera, shpesh me destinacion Kinën.
Ekspertët vlerësojnë se kjo është një nga mënyrat që Irani përdor për të anashkaluar sanksionet amerikane dhe evropiane. Ndërkohë, ushtria amerikane vazhdon operacionet për zbatimin e bllokadës, duke njoftuar se vetëm këtë javë ka neutralizuar një tjetër cisternë që tentonte të arrinte në terminalet iraniane. Sipas autoriteteve amerikane, ajo ishte anija e gjashtë e dëmtuar që nga vendosja e bllokadës.
