Nuk ka ndryshime me cilësinë e ujit në Gostivar, i cili edhe më tej është bakteriologjikisht i papërshtatshëm dhe nuk mund të përdoret për pirje, por vetëm si ujë teknik. I pari i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe shefi i Shtabit të Krizës, Stojançe Angelov, thotë se analizat tregojnë se ka përmirësim, por për momentin ende nuk është e mjaftueshme.
“Gjendja me ujin në Gostivar është përmirësuar dukshëm, gjetjet e fundit janë dukshëm më të mira në krahasim me ato të mëparshmet, por nevojitet kohë që ai të shpallet i pastër për pirje. Agjencia për Ushqim dhe Veterinari do ta bëjë këtë atëherë kur uji të jetë edhe kimikisht edhe bakteriologjikisht i përshtatshëm për pirje”, tha Stojançe Angellov – drejtor i DMSH-së.
Dje edhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, tha se rasti me ujin e ndotur për pirje në Gostivar shkaktoi epideminë më të madhe, me mbi 4.000 të raportuar të prekur. Sa u përket analizave të ujit të kryera deri tani, ai theksoi se janë konstatuar disa baktere dhe viruse të ndryshme, ndërsa gjetjet kanë ndryshuar varësisht nga lokacioni ku janë marrë mostrat. Sipas tij, fokusi tani duhet të drejtohet në monitorimin e hepatitit, i cili mund të shfaqet te qytetarët e helmuar.
Gjendja me pacientët që kanë kërkuar ndihmë për shkak të dhimbjeve në stomak dhe diarresë edhe më tej vazhdon. Edhe pse numri është zvogëluar dukshëm, megjithatë edhe më tej në spitalin e Gostivarit vijnë persona me simptoma të helmimit. Drejtori i spitalit, Emri Bajrami, thotë se një pjesë e pacientëve kanë virus sezonal.
“Kemi një ulje mjaft të konsiderueshme të numrit të pacientëve. Ndërkohë, në repartin infektiv kemi vetëm dy raste të hospitalizuara, me simptoma të lehta. (2 TON) Kjo tani mund të lidhet edhe me virozat sezonale, sepse edhe në vitet e tjera ka pasur raste të tilla. Megjithatë, bilanci nuk është më i madh se vitet e mëparshme”, tha Emri Bajrami – drejtor i Spitalit të Gostivarit.
Për rastin, nga LSDM-ja i bënë thirrje prokurorit publik Nenad Saveskit që të merret më seriozisht me këtë rast. Më shumë se një muaj gostivarasit janë pa ujë, pasi dolën në publik informacionet e para për ndotjen, por deri tani Prokuroria nuk ka ndërmarrë asgjë, thonë nga partia opozitare.
“Për Gostivarin ka një dosje me fakte. Saveski, kur të kthehet nga ekskursioni, të veprojë menjëherë. Ministri i Shëndetësisë Klekovski më në fund foli, pranoi se në ujin në Gostivar kishte shumë baktere dhe viruse të ndryshme. Kanë kaluar 4 javë dhe askush nuk përgjigjet për helmimin me ujë në Gostivar. Qytetarët presin, ndërsa Prokuroria ende hesht”, u shpreh Natasha Popoviq nga LSDM.
Përndryshe, në mes të korrikut, Prokuroria hapi lëndë për ujin e ndotur në Gostivar. Me kërkesë të saj, Gjykata në vendosi që tre të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Nën hetimin janë ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Ndërmarrjes Publike “Komunalec” – Gostivar, Artana Asani, drejtuesi i Departamentit të Ujësjellësit, Vadedin Dauti, si dhe drejtori teknik i Ndërmarrjes Leon Mezini.
