Izet Mexhiti ka bërë apel që festa e 28 Nëntorit të shënohet në mënyrë dinjitoze nga të gjithë shqiptarët, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë.
Mexhiti tha se festimet do të organizohen në disa qytete, duke përmendur Çairin dhe Tetovën, ndërsa ftoi qytetarët që këtë ditë ta shënojnë me dinjitet, si në mënyrë institucionale, ashtu edhe individualisht.
Ai gjithashtu paralajmëroi kundër përpjekjeve për keqpërdorimin e simboleve kombëtare për qëllime politike.
“Bëjmë apel që 28 Nëntori, ashtu siç e meriton, të festohet në mënyrë dinjitoze dhe të mos biem pre e provokimeve të atyre që duan ta keqpërdorin alfabetin, gjuhën dhe flamurin për pikë politike apo për përfitime politike”, deklaroi Mexhiti.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që festën e flamurit ta shënojnë me unitet dhe respekt, duke ruajtur dinjitetin e kësaj date të rëndësishme kombëtare.
