Bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti, ka deklaruar se vendit nuk i nevojiten zgjedhje të parakohshme, por zgjidhje për problemet dhe realizim të premtimeve të dhëna qytetarëve, shkruan TV21.
Mexhiti tha se VLEN dhe kryeministri janë konsistentë në qëndrimin e tyre se prioritet duhet të jetë puna dhe përmbushja e programit qeverisës, duke theksuar se në Kuvend ekziston një shumicë absolute.
Sipas tij, qytetarët nuk kanë nevojë për zgjedhje të reja në një kohë kur qeveria ka obligime dhe premtime që duhet t’i realizojë.
“Ne jemi të interesuar për zgjidhje dhe jo zgjedhje. Qytetarëve nuk u duhen zgjedhje kur ka një shumicë absolute në Parlament. Kemi programin dhe premtimet para nesh, të cilat duhet t’i realizojmë me përkushtim”, deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se debatet për zgjedhje të parakohshme po përdoren për të zhvendosur vëmendjen nga çështjet kryesore.
“Prandaj, mendoj se Maqedonisë nuk i duhen zgjedhje, i duhen zgjidhje”, përfundoi Mexhiti.
