Pas protestave që u mbajtën mbrëmë në Tetovë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emërtimin e rrugëve në qytet, reagoi bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti. Ai tha se është një përpjekje për manipulim dhe se vendi ku duhet të protestohet është para selisë së BDI-së.

“Nuk di për çka protestojnë dhe nëse duhet të protestojnë duhet të protestojnë para BDI-së për shkak se nuk është sjell në mënyrë ligjore vendimi. Në komunë i ka kalu filtrat me dy shumica . 20 vite kanë pasur mundësi të sjellin një pëlqim në një seancë qeverie, që vendimi të jetë i plotfuqishëm”, tha Mexhiti.

Mexhiti shtroi pyetjen se si janë emrat në Kërçovë nga vjen vet kryetari i BDI-së.

Hajt të shohim si janë emrat në Kërçovë, nga vjen z.Ahmeti. Si janë emrat e shkollave, si janë emrat e rrugëve pas 24 viteve qeverisje!? Ose ta bëjmë pyetjen pse 24 vite nuk e riktheu Skënderbeun në kalanë e Kërçovës i cili deri në vitin 45 e ka nderu qytetin e Kërçovës”, deklaroi Mexhiti

Nënkryetari i BDI-së Bajram Rexhepi nga protesta tha se vendimi duhet të rivotohet me qëllim që të mbrohet dinjiteti i shqiptarëve.

“Kërkesa jonë kryesore është që ky vendim të ripërsëritet të rivotohet që të mund të mbrojmë dinjitetin e tetovarëve. Komuna e Tetovës ka patur afat që të përgjigjet dhe nuk është përgjigjur në ofertën tonë për bashkëpunim. Prandaj ne kemi qenë të detyruar të thirrmi këtë protestë qytetare#, tha Bajram Rexhepi.

Ndryshe Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin e vitit 2007 për emërtimin e sheshit dhe disa rrugëve të Tetovës me emra dhe figura historike shqiptare, duke rikthyer emërtimet e mëparshme. Vendimi shkaktoi reagime të ashpra politike.