Bota po hyn në një fazë të re të elektrifikimit, ndërsa kërkesa për energji elektrike do të rritet ndjeshëm. Në vendin tonë, deri në vitin 2040, pritet të rritet me 26 për qind. Prandaj, të gjithë aktorët në shtet duhet të kalojnë në zbatimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë, të cilat do të mundësojnë prodhim më të madh të energjisë së pastër, pasi vendi ka kapacitete, ndërsa financimi nuk paraqet problem. Këto janë disa nga përfundimet e Forumit Energjetik të Maqedonisë, i mbajtur së fundmi në Shkup, të cilat i përcolli drejtori i Institutit ZIP dhe i Forumit Energjetik të Maqedonisë (MEF), Agim Selami, në emisionin Biznes 21.

“Tashmë pyetja është se si do ta bëjmë këtë: si do t’i ndërtojmë projektet, si do t’i financojmë, si do t’i modernizojmë institucionet dhe si do t’i përgatisim njerëzit, sepse kapitali njerëzor është hallka më e rëndësishme në tranzicionin energjetik. Me fjalë të tjera, mendoj se tashmë po kalojmë nga ambicia te zbatimi. Mesazhi i dytë i rëndësishëm është se siguria energjetike dhe politikat klimatike nuk mund të trajtohen më si tema të ndara”, tha Agim Selami

Si shtet i vogël, kemi bërë përparim të konsiderueshëm në tranzicionin energjetik dhe vendi ynë është më ambiciozi në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Tani më të rëndësishmit janë interkonektorët dhe forcimi i kapaciteteve të rrjetit tonë energjetik, theksoi ekspertja për financa të gjelbra, Olimpia Hristova Zaevska.

“Maqedonia, duhet ta theksojmë, tashmë ka kaluar një tranzicion serioz drejt burimeve të rinovueshme të energjisë. Nëse në vitin 2020 kishim rreth 30 megavat kapacitet të instaluar nga energjia diellore, në vitin 2025 kemi rreth 1.200 megavat. Kjo është një rritje e jashtëzakonshme, mbi 3.000 për qind. Në fakt, në vitin 2025 kemi më shumë kapacitet të instaluar sesa kishin së bashku gjashtë vendet e rajonit në vitin 2024. Prandaj, nga ky aspekt, kemi ecur mjaft përpara, sepse e kemi kuptuar nevojën për burime të rinovueshme të energjisë”, tha Olimpia Hristova Zaevka

Të dy të ftuarit u pajtuan se vendit i mungojnë kapacitetet administrative për realizimin e investimeve të tilla.

“Mendoj se ende na mungon kapaciteti administrativ për t’i përthithur këto mjete financiare dhe mungojnë kuadro të trajnuara që do të punonin në projekte të tilla. Këtu flas për inxhinierë, planifikues dhe profesionistë të kësaj fushe. Pa një kapital njerëzor të trajnuar, mendoj se të gjitha projektet nuk do të mund të zbatohen dhe realizohen në mënyrën e duhur”, tha Selami.

“Nevojitet kapacitet më i mirë për projektimin e investimeve të tilla, ndërsa institucionet kyçe që janë pjesë e këtij procesi duhet të reagojnë shumë më shpejt. Edhe administrata duhet ta kuptojë dhe ta marrë shumë më seriozisht rolin e saj. Përndryshe, bëhen gabime që në pamje të parë mund të duken banale, por kur grumbullohen, shndërrohen në probleme serioze. Sa i përket kapitalit, unë them me bindje se ai ekziston, sepse investitorët janë në pritje të investimeve të tilla”, tha Hristova Zaevska.

Sipas tyre, mungon edhe informimi më i madh i qytetarëve për përfitimet që sjell tranzicioni energjetik.