Qeveria e re është një fillim i ri për Maqedoninë, për shkak se VMRO-DPMNE-ja e tanishme nuk është peng i hipotekave të së kaluarës, ndërsa ndodhi edhe ndryshimi i shumëpritur që solli krijimi i qeverisë pa BDI-në, që për 22 vjet kishte monopolizuar politikën shqiptare, gjersa partitë maqedonase ndryshoheshin vazhdimisht, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në Konferencën e Ambasadorëve në Tiranë, të organizuar nga Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Republikës së Shqipërisë.

“Mendoj që tash është një VMRO krejt tjetër, është një fillim i ri. Ne aty jemi si përfaqësues të shqiptarëve, legjitimë, përfaqësojmë shqiptarët mirëpo japim kontribut edhe në orientimin e shtetit, pra mbetet në top prioritetet orientimi proeuropian i shtetit, mirëpo ne marrim barrën aq sa na takon si shqiptarë, sepse për të bërë ndryshimet kushtetuese duhet të ketë 2/3-tën e votave në parlament”, tha zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti.