Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj u ka bërë thirrje ambasadorëve e konsujve të Shqipërisë që të vazhdojnë mbështetjen ndaj Kosovës.

Begaj tha se Kosova duhet të mbështetet pa kushte, derisa shtoi se e kanë për detyrë të punojnë për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale dhe të angazhohen për njohje të reja, shkruan Reporteri.net.

“Dëshiroj të theksoj veçanarisht rolin aktiv që duhet ta vazhdojë të luajë diplomacia jonë në marrëdhënie me Kosovën. Kosova nuk duhet të mbetet si një çështje që përsëritet vazhdimisht, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik. Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështet kurdo e kudo, në çdo rrethanë dhe situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare e rajonale si dhe për njohje të reja të saj”, deklaroi Begaj, në pritjen për Ambasadorët dhe konsujt e Shqipërisë.

Ai u bëri thirrje diplomatëve që të krijojnë lehtësirat e nevojshme për shqiptarët në vendet ku ata shërbejnë.

Sipas tij, është e papranueshme që selitë diplomatike shqiptare të mos u shërbejnë qytetarëve shqiptarë.

“Qëndroni afër shqiptarëve kudo ku ata ndodhen. Nuk ka fenomen më të papranueshëm se sa një ambasadë apo një konsullatë që nuk është në shërbim të plotë e të përhershëm për qytetarët e vet, si një popull që shumicën e vet e ka me banim dhe punë jashtë vendit. Shërbimet tuaja duhet të mbeten gjithnjë të aksesueshme për qytetarët tanë”, u shpreh Begaj në fjalën e tij.