Në fund të këtij muaji pritet të fillojë ndërtimi i pjesës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke siguruar se janë përmbushur kushtet që të nisin punët në terren.
“Këtë muaj, zyrtarisht do të fillojë ndërtimi, të gjitha formalitetet dhe procedurat që lidhen me pjesën shqiptare të Bllacës-Shkupit kanë përfunduar, mendoj se fillimi është planifikuar për 26 gusht, tani nuk do të doja që të më kapeni për fjale por mendoj se ajo ishte data, më në fund ky projekt dhjetëvjeçar që u njoftua, më në fund kemi një kontraktor, është një kompani vendase, kemi mbikëqyrje, do të thosha se janë përmbushur të gjitha kushtet që ndërtimi i kësaj autostrade të fillojë”, tha Mickoski.
Për momentin po punohet në 1200 lokacione në gjithë Maqedoninë, u shpreh Mickoski, duke shtuar se në shtator pritet të fillojë ndërtimi i segmentit Bukojçan-Kërçovë, ndërsa për autostradën Kërçovë-Ohër paralajmëroi përshpejtim të punimeve dhe përfundim gradual të saj.
“Në shtator pres të fillojë edhe një segment tjetër autostrade, ai është Bukojçani – Kërçovë, ndërsa me dinamikë të shtuar të përfundojmë autostradën Kërçovë – Ohër. Pres që segmenti nga Izvor deri në Vërbjan të lëshohet në gjysmën e dytë të tetorit, ndërsa i gjithë segmenti të përfundojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, 2027”, u shpreh Mickoski.
Kryeministri po ashtu theksoi se me dinamikë të shtuar po vazhdojnë aktivitetet ndërtimore në tre segmentet e Korridorit 8 dhe Korridorit 10D – Prilep-Manastir, Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçan.
Mickoski bëri të ditur se aktivitetet ndërtimore do të intensifikohen edhe me seksionin hekurudhor 2, i cili përbën krahun lindor të Korridorit 8, si dhe me seksionin 3, për të cilin thirrja publike pritet të shpallet së shpejti. Sipas tij, sfidat administrative tashmë janë tejkaluar, ndërsa nëse gjithçka shkon sipas planit, në fillim të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit dhe të nisë puna në Korridorin 10.
