Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka marrë pjesë në Berlin në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve, kushtuar situatës aktuale në Ukrainë dhe përpjekjeve për arritjen e paqes. Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski.

Takimi, i organizuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz, u përqendrua në intensifikimin e përpjekjeve për përfundimin e luftës dhe bashkërendimin e veprimeve mes partnerëve evropianë dhe Shteteve të Bashkuara.

Mickoski bëri të ditur se Maqedonia e Veriut e ka konfirmuar mbështetjen për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

Në deklaratën e tij, kryeministri Mickoski theksoi:

“E konfirmuam mbështetjen e vendit tonë për përpjekjet për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, përmes dialogut, diplomacisë dhe koordinimit me aleatët tanë”, ka shkruar Mickoski.