Gazetar: Zekirija Haxhiu

Gjykata Supreme ka shfuqizuar aktvendimet e Gjykatës Penale dhe të Apelit kundër ish kryetarit të Karposhit, Stevço Jakimovski, ndërsa lëndën e ktheu sërish në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Këshilli për vepra penale pranë Gjykatës Supreme në seancën e djeshme pranoi kërkesën e Jakimovskit për ri shqyrtim të jashtëzakonshëm të aktvendimit të plotfuqishëm, që ishte dorëzuar përmes avokatit të tij. Bëhet fjalë për aktvendimin e Gjykatës Penale të sjellë më 23 prill 2025 si dhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit nga 15 maji 2026. Penalja ka dënuar Jakimovskin për dy vepra penale, ndërtim ilegal dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Për ndërtimin pa leje të objektit komunal, Gjykata i shqiptoi dënim me burg prej një viti, ndërsa për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dënim me burg prej tre viteve. I njëjti dy muaj më parë vullnetarisht u paraqit për të vuajtur dënimin në burgun e Shutkës.

Duke komentuar vendimin e Supremes, kryeministri Mickoski shprehet se lufta kundër gjyqësorit ndonjëherë i duket sikur po luftojnë me mullinjtë e erës.

“Për fat të keq këto pak gjykatës i kontaminojnë ato gjykatës të ndershëm dhe prokurorë që janë në sistemin tonë juridik por kur flas me kolegët e mi nga Bashkimi Evropian, ja të ndjekin këto shembuj dhe të shohin kur flasim për gjyqësinë me kë ne kemi punë dhe me kë kemi sfida dhe luftojmë. Ndonjëherë kam ndjenjën sikur luftojmë me mullinjtë e erës, sikur të jetë luftë e Don Kishotit. Ju i përndiqni, i arrestoni e ata i lirojnë, njerëz për të cilët ka dyshime, përkatësisht aktvendim të plotfuqishëm gjyqësor”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

Procesi gjyqësor kundër Jakimovskit zgjatë më tepër se gjashtë muaj. Ndonëse fillimisht u dënua tre vite e gjysmë për dy vepra, gjithsesi Gjykata Apelit ndryshoi vendimin dhe ktheu veprën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rigjykim, por e konfirmoi dënimin me burg prej një viti. Kujtojmë se Jakimovski gjendet edhe në listën e zezë amerikane./Alsat.mk

The post Mickoski për lirimin e Jakimovskit: Sikur po luftojmë me mullinjtë e erës appeared first on Alsat.