Kryeministri Hritijan Mickoski ka ripërsëritur qëndrimin e mbrëmjes së djeshme se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje, por që nëse opozita i kërko zgjedhjet e parakohshme parlamentare, janë të gatshëm që të garojnë dhe fitojnë të njëjtat, përcjell TV21.

“Qytetarët nuk duan zgjedhje, ata duan reforma dhe vazhdimësi të proceseve të udhëhequra nga kjo Qeveri. Prandaj bëra atë krahasim fillestar 3 me 1 të performancës së kësaj Qeverie, krahasuar me atë të mëparshme. Si koalicion, na është dhënë legjitimiteti nga qytetarët për të qeverisur për katër vjet. Por atë që thashë dje do ta konfirmoj, nëse opozita mendon se zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme, natyrisht, ne nuk do të qëndrojmë mënjanë si frikacakë, por do t’i përgjigjemi pozitivisht asaj kërkese dhe, natyrisht, do t’i fitojmë ato”, tha Mickoski.