Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se Maqedonia dhe vendet e Evropës po përballen me një dimër të vështirë, për shkak të sfidave dhe krizave globale. Ai tha se, pavarësisht situatës ndërkombëtare, Qeveria po punon që qytetarët ta kalojnë dimrin në kushte normale. Mickoski vlerësoi se në botë po zhvillohet një “Luftë e Tretë Botërore e qetë”, por theksoi se vendi po merr pjesë në përpjekjet për përballimin e sfidave dhe përmirësimin e standardit të jetesës.

“Ka me të vërtetë shumë sfida globale në botë, por është mirë që Maqedonia është në tryezë dhe, së bashku me të tjerët, po merr pjesë në zgjidhjen e këtyre sfidave globale. Do të jetë një dimër i vështirë, një dimër i vështirë në të gjithë Evropën, një dimër i vështirë edhe për Maqedoninë, por e rëndësishme është që po punojmë për t’u siguruar që qytetarët ta kalojnë këtë dimër në të njëjtën mënyrë si çdo dimër në kushte normale, pavarësisht sfidave në botë. Edhe pse do të thoja se sot në botë po zhvillohet një Luftë e Tretë Botërore e qetë, megjithatë po arrijmë të gjejmë një mënyrë për të krijuar një strategji me të cilën të përmirësojmë standardin e jetesës për qytetarët”, deklaroi kryeministri i vendit Hristijan Mickoski.