“Investoni menjëherë”, “Mbështesni Trumpin”, “Çeku juaj vlen 10 mijë dollarë pas zgjedhjeve”. Kështu dukeshin mesazhet që për muaj të tërë u kanë mbërritur qytetarëve amerikanë, kryesisht personave të moshuar, duke i bindur se po blinin “Trump Bucks” speciale – gjoja të lidhura me Donald Trumpin dhe fushatën e tij presidenciale.
Por, sipas autoriteteve federale amerikane, bëhet fjalë për një mashtrim të organizuar në internet, pas të cilit qëndrojnë dy shtetas maqedonas nga Velesi – qyteti që gjatë fushatës së parë presidenciale të Donald Trumpit fitoi famë botërore për përhapjen e lajmeve të rreme në mbështetje të tij dhe mori nofkën “Velesi i Trumpit”.
Ministria amerikane e Drejtësisë njoftoi se ndaj 25-vjeçarit Goran S. dhe 39-vjeçares Kristina J. janë ngritur aktakuza të ndara për mashtrim përmes internetit, komplot dhe vjedhje të rëndë identiteti. Të dyshuarit, sipas autoriteteve, ndodhen në arrati dhe janë të paarritshëm për policinë.
Sipas hetimeve, që nga viti 2023 e deri më sot, ata kanë shitur “Trump dollars”, “çeqe ari”, “kartela anëtarësimi”, “dollarë diamanti”, “distinktivë ari” dhe produkte të tjera të rreme, të prezantuara si artikuj ekskluzivë të të ashtuquajturit “Trump Rebate Banking System” ose “TRB”.
Në reklamat dhe mesazhet elektronike janë përdorur fotografi dhe mesazhe me emrin e Trumpit, flamuj amerikanë dhe retorikë patriotike, për t’i bindur viktimat se produktet kishin lidhje zyrtare me ish-presidentin amerikan. Në një nga mesazhet dërguar blerësve potencialë thuhej se “Patriot Eagle” – një nga produktet e skemës – mund të shkëmbehej për 10 mijë dollarë pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e vitit 2024.
“Ky Patriot Eagle nuk është pjesë e ndonjë sistemi dhe nuk ju nevojiten produkte të tjera për ta shkëmbyer”, thuhej në mesazhin e nënshkruar si deklaratë nga Donald Trump. Autoritetet amerikane thonë se gjithçka ishte një gënjeshtër e plotë.
“Trump Bucks nuk kanë asnjë lidhje me presidentin, me fushatën e tij apo me Organizatën Trump”, thuhet në deklaratën e prokurorit amerikan për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, Jay Clayton, të publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së.
Sipas tij, mashtrimi ishte i drejtuar ndaj personave të moshuar dhe mbështetësve të Trumpit, ndërsa të dyshuarit kishin keqpërdorur besimin dhe bindjet e tyre politike. Viktimat ishin bindur se po blinin instrumente financiare me vlerë, të “mbushura paraprakisht” me dhjetëra apo qindra mijëra dollarë, të cilat më vonë mund t’i tërhiqnin në banka.
Në realitet, produktet nuk kishin asnjë vlerë dhe nuk mund të shkëmbeheshin askund. Shitjet zhvilloheshin kryesisht përmes platformave online dhe aplikacionit Telegram, ku të dyshuarit dhe pjesëmarrës të tjerë në skemë komunikonin me viktimat.
