Ministria e Arsimit vijon procedurat për anulimin e diplomave të dyshimta, pas konstatimit të shkeljeve serioze në disa institucione të arsimit të lartë, ndërsa rastet tashmë janë dorëzuar në Prokurorinë Publike. Sipas ministres së Arsimit, Vesna Janevska, në Universitetin Ndërkombëtar Sllav, janë anuluar dy diploma të lëshuara për të njëjtin student, me dyshime për falsifikim. Sipas Janevskës, janë evidentuar parregullsi, përfshirë dhënien e një numri të madh provimesh brenda një sesioni dhe mospërputhje në dokumentacion, ku një diplomë e vitit 2016 me vulë mban emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”, ndërsa emri zyrtar i shtetit u ndryshua në vitin 2018.

“Ne tashmë kemi informuar se dy diploma të Universitetit Ndërkombëtar Sllav janë anuluar, për shkak të shumë parregullsive, si dhënia e 14 apo 17 provimeve në një sesion, kryerja e ekuivalencave të papërshtatshme të 4 sistemeve ECTS nga një lëndë dhe sigurisht një diplomë e vitit 2016 në të cilën ka vulë me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që ju e dini se atëherë ne kishim emrin tonë të mëparshëm, pasi emri është ndryshuar në vitin 2018. Kjo tani është lëndë e Prokurorisë Publike dhe nëse vërtetohet, e sigurisht që do të vërtetohet falsifikimi, universiteti do të përballet me pasoja serioze,” deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit. /Alsat.mk

The post Ministria e Arsimit anulon diploma të dyshimta, raste të reja dërgohen në Prokurori appeared first on Alsat.