Gjithsej 1.621 gjoba për kundërvajtje në komunikacion janë shqiptuar gjatë tre ditëve të fundit, bëjnë të ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Nga numri i përgjithshëm i kundërvajtjeve të regjistruara, 456 kanë të bëjnë me drejtues që nuk kanë respektuar shpejtësinë e përcaktuar të lëvizjes.
Për drejtim të pakujdesshëm të automjetit janë arrestuar 43 persona, prej tyre dy për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, 20 për drejtim pa patentë shoferi dhe dy për shkak të ndalesës së mëparshme për drejtim të automjetit. Gjatë së njëjtës periudhë janë evidentuar 385 kundërvajtje për parkim të parregullt, janë shqiptuar 28 sanksione për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, ndërsa janë konfiskuar edhe 19 automjete, në përputhje me nenin 300-b të Kodit Penal.
“Në përputhje me dispozitat e Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, janë sanksionuar 159 drejtues të motoçikletave për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse. Gjithashtu janë sanksionuar 105 pjesëmarrës në komunikacion që nuk kanë përdorur rripin e sigurisë. Në përputhje me Ligjin për automjetet, 17 automjete janë larguar nga komunikacioni për shkak se kanë qenë të paregjistruara, ndërsa shtatë për shkak të parregullsive teknike. Janë sanksionuar edhe katër drejtues për mosplotësimin e kushteve të përcaktuara lidhur me errësimin e xhamave të automjeteve (foliet)”, thonë nga MPB.
The post MPB: 1.621 gjoba në tre ditë, 456 për tejkalim të shpejtësisë appeared first on Alsat.
