Një i mitur 16-vjeçar nga Tetova është privuar nga liria nga zyrtarët policorë të SPB Tetovë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”, e paraparë në nenin 236 të Kodit Penal.
Sipas informacioneve të policisë, arrestimi është bërë më 19 maj 2026, rreth orës 18:00. I dyshuari dyshohet se gjatë dy javëve të fundit ka kryer disa vjedhje në xhami në territorin e Tetovës.
Rasti i fundit ka ndodhur në një xhami në rrugën “176” në Tetovë, ku i mituri, duke përdorur forcë, ka thyer kasafortën metalike të donacioneve dhe ka marrë para nga ajo.
Nga SPB Tetovë njoftojnë se i mituri është ndaluar në stacion policor, ndërsa për rastin është informuar edhe prokurori publik. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
