Rritja e buxhetit për mbrojtje deri në 5 për qind të BPV-së nuk është e orientuar vetëm drejt blerjeve të zakonshme ushtarake, por përfaqëson një investim strategjik në sigurinë, ekonominë dhe infrastrukturën e shtetit. Kështu deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.

“Po shkojmë drejt pesë përqindëshit për të mos u gjendur ndonjëherë në situatë ku do të duhet të shpenzojmë 30 apo 40 për qind të BPV-së, siç bëjnë shtetet që përballen me konflikte në territorin e tyre“, theksoi Mucunski.

Mucunski mes tjerash potencoi se mjetet nuk do të jenë të destinuara vetëm për modernizimin e ushtrisë, por edhe për zhvillimin e sigurisë kibernetike, infrastrukturës, korridoreve të NATO-s dhe përkrahjen e inovacioneve dhe kompanive startup me rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare.

Gjatë prezantimit të raportit për punën e realizuar gjatë vitit të parë të mandatit të Qeverisë, Mucunski tha se kjo politikë është e harmonizuar me standardet dhe vendimet e NATO-s, të marra me konsensus nga të gjitha vendet anëtare.

“Kjo nuk është një vendim vetëm i Qeverisë sonë. Të gjitha vendet anëtare të Aleancës e mbështesin strategjinë për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje, por me një fokus të zgjeruar që përfshin edhe sigurinë ekonomike dhe teknologjike“, tha Mucunski.