Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se kishte nënshkruar marrëveshje tregtare me Kinën dhe se mund të bëjnë një marrëveshje “të madhe” me Indinë.

Trump bëri deklarata në lidhje me ekonominë në një aktivitet të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick dhe përfaqësuesi i Tregtisë, Jamieson Greer, po punojnë “me orar të zgjatur” për të bërë një marrëveshje tregtare me vendet.

“Të gjithë duan të bëjnë një marrëveshje”, theksoi presidenti amerikan.

“Disa muaj më parë mediat kanë pyetur ‘A është dikush vërtet i interesuar?’. Sapo nënshkruam me Kinën dje. Nuk do të bëjmë një marrëveshje me të gjithë. Do t’u dërgojmë një letër disa njerëzve dhe do t’u themi: Faleminderit shumë, do të paguani një tarifë prej 25, 35, 45 për qind’”, tha Trump.

Ai theksoi se ata kanë bërë marrëveshje “të shkëlqyera”.

“Ndoshta një marrëveshje shumë e madhe me Indinë është në rrugë e sipër. Do ta hapim Indinë. Në marrëveshjen me Kinën, po fillojmë ta hapim Kinën. Gjëra që nuk ishin të mundura më parë po ndodhin. Marrëdhënia jonë me çdo vend është në gjendje shumë të mirë”, tha Trump.

Duke iu referuar investimeve të bëra dhe fabrikave që do të ngrihen falë tarifave, Trump tha se edhe kompania e çipave “Texas Instruments” do të shpenzojë 60 miliardë dollarë në SHBA./