Ndryshime të shpejta të Ligjit për Këshillin gjyqësor që do të mundësojnë të tërhiqen anëtarët që i ka emëruar Kuvendi. Ky është një nga opsionet e pushtetit që do të mundësojë ndryshime kadrovike brenda Këshillit. Këtë e konfirmoi edhe ministri i drejtësisë Igor Fillkov i cili shtoi se së shpejti mund të pritet vendimi përfundimtar.

“Për këtë tashmë është biseduar  dhe është në tryezë dhe e shqyrtojmë si një nga opsionet”, tha Igor Fillkov.

Mundësinë e këtillë i pari e përmendi kryeministri Hristijan Mickoski para një muaji, por deri më tani kishte dilema juridike nëse këtë opsion e lejon ligji. Nga partia e tij ende pa qëndrim final se si do ta reformojnë Këshillin, edhe pse pas formimit të qeverisë paralajmëruan shkarkimin e tij të plotë, gjë që shkaktoi kritika të ashpra.

“Pas raportit negativ për Këshillin gjyqësor në Kuvend, u zhvillua edhe një debat i tillë, megjithatë opinioni e di se ne planifikuam shkarkim të Këshillit gjyqësor dhe reforma në punën e tij, ndërsa formën dhe mënyrën se si do të zbatohet kjo do t’i përcaktojmë së shpejti”, tha Mile Lefkov.

LSDM ishte me qëndrim se tërheqja e pesë anëtarëve të Këshillit gjyqësor që i emëroi Kuvendi është një hap i pushtetit që çon drejt okupimit të gjyqësorit dhe paralajmëruan se do ta kundërshtojnë këtë synim. Për ndryshimet pushtetit i nevojiten 80 deputetët që do të votojnë PRO. Kryetari i këshillit Aleksandar Kambovski kohë më parë theksoi se është e logjikshme që “ai që të ka emëruar, të mundet të të shkarkojë”. Por siç shtoi, jurisprudenca aktuale nuk e lejon këtë.