Policia e Koperit njoftoi se në mesin e tre personave, shtetas të Maqedonisë së Veriut, që humbën jetën në aksidentin e rëndë trafiku në autostradën Primorska në Slloveni, dy janë fëmijë të moshës katër dhe 11 vjeç, ndërsa viktima e tretë është një grua 74-vjeçare. Gruaja 33-vjeçare e lënduar është transportuar me helikopter në spital, ndërsa shoferi 39-vjeçar është dërguar me autoambulancë, njoftoi Policia e Koperit.

Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut konfirmoi se tre shtetas maqedonas, një i rritur dhe dy të mitur, humbën jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi dje në autostradën A1, pranë Unecit, në Slloveni.

“Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Lubjanë i është dorëzuar njoftim zyrtar nga policia sllovene për një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur më 27 gusht 2026 në autostradën A1, pranë Unecit. Në aksident kanë humbur jetën tre persona – një i rritur dhe dy të mitur, shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Janë lënduar edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në automjet, të cilët gjithashtu janë shtetas maqedonas. Rastin po e trajtojnë organet kompetente policore në Koper”, thuhet në njoftim.

Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Lubjanë, shtohet, është në komunikim me institucionet kompetente sllovene dhe po ndjek zhvillimin e mëtejshëm të procedurës.

Tre shtetasit maqedonas që humbën jetën në aksidentin në Slloveni janë nga fshati Zhitineni, në Komunën e Qendër Zhupës.

“Kam mbetur pa fjalë për të shprehur dhimbjen nga kjo tragjedi e tmerrshme që ka tronditur banorët e komunës sonë. Familja është me origjinë nga fshati Zhitineni, ndërsa jetojnë në Ravena të Italisë. Lutemi për shërimin e dy personave të tjerë të lënduar”, deklaroi shkurt për MIA-n kryetari i Komunës së Qendër Zhupës, Arijan Ibraim.

Sipas tij, në automjet ndodheshin prindërit e fëmijëve dhe gjyshja e tyre, nëna e shoferit.

Sllovenia Auto-Moto dje njoftoi se aksidenti ka ndodhur pasditen e së enjtes, kur kamioni, për shkak të një defekti, ishte ndalur në hapësirën e paraparë për ndalim. Për arsye ende të panjohura, shoferi i automjetit ka goditur pjesën e pasme të majtë të rimorkios.

Në momentin e aksidentit, në automjet ndodheshin pesë persona, të gjithë shtetas të Maqedonisë së Veriut. Mjeku ka konstatuar vdekjen e tre personave në vendngjarje. Një person i plagosur rëndë është transportuar në spital me helikopter, ndërsa shoferi i lënduar është dërguar me autoambulancë.