Të martën pasdite, në Astana të Kazakistanit u mbajt Samiti i 2-të Kinë-Azi Qendrore, që u drejtua nga presidenti i vendit Kassym-Jomart Tokayev. Në samitin, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologët e tij nga pesë vende të Azisë Qendrore nënshkruan Traktatin e Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor të Përhershëm, duke u zotuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në një deklaratë të përbashkët

Presidenti i Kazakistanit, Tokayev, dhe liderët e vendeve të tjera të Azisë Qendrore u shprehën se e vlerësojnë modelin e bashkëpunimit të ndërtuar mbi respektin dhe përfitimet reciproke me Kinën dhe janë të gatshëm të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha drejtimet, të zgjerojnë vëllimin e tregtisë dhe investimeve, të ndërtojnë me cilësi të lartë “Një brez, një rrugë” dhe të çojnë përpara bashkëpunimin në industri, bujqësi, teknologji, infrastrukturë, energjinë e re dhe ndërlidhje.

Në fjalimin e tij të rastit, kreu i shtetit i Kinës vlerësoi lart “Shpirtin Kinë-Azi Qendrore”, që bazohet në respektin dhe barazinë reciproke; besimin e ndërsjellë dhe përgjigjen e përbashkët, që do të thotë mbështetje e patundur për ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit, tërësisë territoriale dhe dinjitetit kombëtar të njëri-tjetrit; përfitimet e ndërsjella dhe zhvillimin e përbashkët; ndihmën e ndërsjellë dhe përpjekjet e përbashkëta.

Pesë vendet e Azisë Qendrore do të punojnë së bashku me palën kineze për të promovuar paqen e qëndrueshmërinë, duke ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta edhe më të ngushtë. 

Gjatë samitit u nënshkruan 12 dokumente bashkëpunimi që përfshijnë ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”, lehtësimin e shkëmbimeve njerëzore, mineralet e gjelbra, tregtinë e lirë, ndërlidhshmërinë, industrinë, doganat dhe fusha të tjera.

Në vitin 2022, gjashtë vendet ranë dakord të krijojnë një mekanizëm për takimet e krerëve të shtetit. Dy vite më vonë, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 94.8 miliardë dollarë amerikanë. Investimet e Kinës në vendet e Azisë Qendrore arritën në 30 miliardë dollarësh amerikanë. Trenat e mallrave Kinë-Evropë që kalojnë nëpër Azinë Qendrore, përbëjnë gati 80 % të numrit të përgjithshëm të trenave të mallrave të Kinë-Europë.