Nga 1 shkurti nis zbatimi i gjobave “Safe City”, do të shoqërohen me tolerancë

Duket se Ministria e Punëve të Brendshme i ka marrë parasysh ankesat e qytetarëve lidhur me sistemin “Safe City”, me çka paralajmërojnë që gjatë regjistrimit të shkeljeve në komunikacion do të ketë tolerancë prej 6,8 ose 12 kilometra në orë.

Toleranca do të jetë njësoj si te radarët policorë. Nga MPB sqarojnë se në qytet, ku shpejtësia e lejuar është 50 kilometra në orë, sistemi do ta konstatojë shkeljen në momentin kur automjeti drejtohet me shpejtësi prej 57 kilometra në orë, ndërsa toleranca për shpejtësinë e lejuar 100 km në orë do të jetë 8 km/h.

“Për shpejtësi deri në 100 kilometra në orë do të lejohet një tolerancë prej 6 km/h, për shpejtësi mbi 100 km/h toleranca do të jetë 8 km/h, ose më precize, nëse shpejtësia e lejuar është 50 kilometra në orë, ndërsa shoferi drejton automjetin me 57 kilometra në orë, do të konstatohet shkelje në trafik. Nëse shoferi e drejton automjetin me 56 kilometra në orë, sistemi nuk do të konstatoj shkelje në trafik”, deklaroi Ivica Ilievski, Zëdhënës i MPB-së.

Megjithatë, nga Ministria theksojnë se kjo tolerancë nuk do të vlejë në rastet kur bëhet fjalë për vepra penale në komunikacion, duke nënvizuar se siguria rrugore mbetet prioritet absolut.