Tre persona kanë vdekur pas të shtënave me armë në gjimnazin “Sanski Most” në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi që një punonjës i shkollës së mesme qëlloi drejtorin, sekretaren dhe profesoreshën.

Sipas mediave lokale, personi ka hyrë në hapësirat e shkollës me një pushkë automatike dhe ka hapur zjarr ku pastaj ka vrarë drejtorin Nijaz Haliloviq, profesoreshën e anglishtes Gordana Mixhan dhe sekretaren e shkollës Nisveta Kluniq. Trupat e viktimave janë transferuar në Qendrën Shëndetësore në Sanski Most.

Sipas mediave lokale, autori i vrasjes pastaj ka qëlluar veten në kokë dhe është transferuar në gjendje të rëndë në spitalin në Sanski Most. Ndaj tij është caktuar masë disiplinore pak kohë më parë dhe ka pasur mosmarrëveshje me udhëheqësinë e shkollës.