Pak ditë më parë, Noizy, u raportua se është përfshirë në një rrahje me disa persona të tjerë në qytetin e Pejës.
Gjatë përleshjes, dyshohet se Rigels Rajku (emri i vërtetë) dhe grupi i tij kanë rrahur brutalisht Muhamet Isenin, i njohur në rrjetin social TikTok me emrin ‘Medi’.
Deri më tani, nuk ka ndonjë të arrestuar në lidhje me rastin.
Në ndërkohë, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i ka bërë thirrje Noizyt dhe të dyshuarve të tjerë të paraqiten në stacionin e policisë.
Në një prononcim për Telegrafin, Nikçi fton edhe qytetarët të japin informacione në lidhje me vendndodhjen e të dyshuarve.
“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pasur avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese”, tha Nikçi për Telegrafin.
“Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial neve na duhen vetëm informata”, theksoi ndër të tjerash.
Noizy nga ana tjetër ka reaguar me një postim në Instagram, ku thotë se nuk ka prekur asnjë person atë natë.