Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, dhe si e tillë duhet të mbahet përgjegjëse.
Këto komente, Kurti i ka bërë pas vizitës që ka pasur të martën në familjen e rreshterit, Afrim Bunjaku, të vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar nga paramilitarët serbë, dhe pas homazheve tek varri i tij.
“Duhet theksuar se Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi, e në këtë pikë ne kërkojmë ndihmën, mbështetjen e përkrahjen e faktorëve ndërkombëtar”, tha Kurti.
Në këto momente, kryeministri theksoi se Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat “ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë”.
“Anë e mbanë Kosovës, në çdo cep, është shteti i Kosovës, shteti i republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim. Numri i policëve me kadetë të ri po rritet, morali i policisë sonë edhe ushtrisë sonë kurrë s’ka qenë më i lartë”, pohoi.
Sakrifica, flijimi i rreshterit Afrim Bunjaku, Kurti tha se ia ka vlejtur fort për policinë, për shtetin dhe gjeneratat e ardhshme.
“Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë edhe shumë policë të tjerë, dhe ata të cilët ishin me betejë në të, nuk lejuan që kufoma e Afrimit Bunjakut, trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike”.
“E forcat të cilat ishin të financuara dhe të dirigjuar nga Serbia me paramilitarë të cilët kishin shumë më shumë armatim se sa Afrim Bunjaku me shokë, ikën me turp, i lanë të vrarit dhe të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi sepse e din që e kanë humbur betejën me shtetin dhe popullin tonë liridashës”.
Kryeministri potencoi se idealet e dëshmorëve për neve do t’i jetësojmë “e po i jetësojmë, e kujtimin për ta do ta përjetësojmë e po e përjetësojmë”.
Një grup i armatosur më 24 shtator të 2023-së, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.
Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës fillimisht kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi – deri tek ngritja e aktakuzës ndaj 45 personave
Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç e pranoi organizimin dhe përfshirjen në këtë sulm terrorist.
Ai ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas ishte liruar nga paraburgimi.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
The post Një vjetori i Banjës, Kurti: Serbia është përgjegjëse, duhet të mbajë përgjegjësi appeared first on KOHA.