Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti bashkë me ministren e Arsimit, Vesna Janevska dhe udhëheqësen e Odës Ekonomike – Turqi (MATTO), vizituan shkollën e mesme shtetërore për rehabilitim dhe arsimim “Shën Naumi i Ohrit”. Mexhiti njoftoi se më shkollë janë kryer aktivitetet për rikonstrumin dhe adaptimin e hapësirave, që do t’i përdorin nxënësit e shkollës fillore me qendër burimore “Idnina”, ndërsa theksoi se ky është vetëm hapi i parë, pasi qeveria do të ndërtojë objekt të ri në lokacionin aktual të shkollës “Idnina”.

“Gjatë muajve të kaluar kemi bërë përpjekje të konsiderueshme për të siguruar kushte të përshtatshme për mësim dhe rehabilitim për nxënësit nga Qendra Burimore “Idnina” – “Ardhmëria”, falë angazhimit të qeverisë dhe donacionit nga MATO. Sot këtu në “Shën Naumi i Ohrit” kemi në dispozicion nëntë kabinete tërësisht të rregulluara për mbështetje individuale, mësim sipas metodës Montessori, riedukim psikomotrik, terapi me art, dhomë senzorike dhe bibliotekë. Çdo fëmijë do të ketë mundësi të mësojë dhe të zhvillohet në një ambient të sigurt dhe nxitës. Kjo është vetëm hapi i parë. Qeveria mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një objekti të ri modern në lokacionin ekzistues në Çair. Vizioni në Çair të bëhet komunë vërtet inkluzive. Shembull për mënyrën se si shoqëria kujdeset për më të vegjlit dhe më të ndjeshmit”, tha Mexhiti.