Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Pas stabilizimit të plotë të situatë, nxënësit e Trubarevës u kthyen në bankat shkollore. Megjithatë banorët ankohen për erë të keqe, sidomos në mëngjes dhe në mbrëmje. Thonë se më shumë një javë pas zjarrit në depon e mbetjeve elektronike nuk mund të hapin dritaret. Ndërkohë autoritetet mohojnë të ketë ndotje të ajrit në këtë zonë.

“Pas një jave në të cilën nxënësit e shkollave të Trubarevës u detyruan ta ndjekin procesin mësimor në formën online, sot ata janë rikthyer në bankat shkollore, ku procesi arsimor po vazhdon në kushte normale dhe pa asnjë pengesë”, raporton Linda Ebibi Ademi.

Nëpër rrugët e Trubarevës u rikthyen nxënësit. I takuam sapo kishin mbaruar mësimin.

“Po mirë ishte, mësuam shpejtë, dhe kështu. Kemi pastrues të ajrit në shkolla…Si kaluat një javë me mësimin online? Mirë, disa mësues nuk dinin të kyçeshin në platformën zoom, por përsëri u gjendëm”, tha një nxënës.

Ndërkohë më shumë se një javë pas zjarrit në depon e mbetjeve elektronike në Trubarevë, banorët ankohen për erë të keqe, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.

“Ende kundërmon erë e keqe. Nuk dilet në mëngjes dhe në mbrëmje nuk dilet, helmon. Tani është më ndryshe kurse në mëngjes dhe në mbrëmje nuk mund të hapim dritare”, u shpreh një banore.

“Situata është për askund, ajri është shumë i ndotur.. tani nuk ka erë, por në mëngjes dhe në mbrëmje kundërmon shumë”, tha një tjetër banor.

“Menjëherë dislokim, të mos jetë më këtu, nesër, sot, tani menjëherë… nuk jetohet këtu. Në mëngjes, në mbrëmje është gërdi. Së shpejti ne do të shkojmë në spital dhe nuk e di nëse do të mbeten njerëz të shëndosh këtu”, deklaroi një banor.

Ndërkohë autoritetet thonë se nuk ka ndotje të ajrit në zonën e Trubarevës. Sipas Ministrisë së Ekologjisë në 24 orët e fundit, matësi nuk ka treguar tejkalim të kufirit të ndotjes. /Alsat.mk

The post Nxënësit e Trubarevës u kthyen në bankat shkollore, banorët ankohen për erë të keqe appeared first on Alsat.