Projekti për rrjetin ujësjellës në fshatin Pllaçishtë të Komunës së Bogovinës ende nuk ka përfunduar. Ky fshat assesi të furnizohet  në mënyrë normale me ujë. Nga bashkësia lokale thonë se banorët tashmë kanë humbur shpresat, pasi që nga muaji korrik deri më tani në këtë vendbanim janë hapur mbi 20 puse, por assesi ujësjellësi të rregullohet.

“Problemi i ujit është shumë serioz. Nga muaji korrik deri më tani, janë hapur mbi 20 puse në fshatin Pallçishtë. Fshatarët, nga fëmijë deri tek më i madhi  kanë humbur çdo shpresë për ujin e pijshëm. Me përfundimin e projektit nuk zgjidhet problemi i ujit të pijshëm, por bisedojmë se vetëm e kanë ndërruar trasenë  ose linjën në anën tjetër. Ne vazhdojmë të kërkojmë, kemi qenë edhe në komunë me bashkëfshatarët por ne tash nuk na ka mbetë asnjë tjetër, çdo besim është humbur vetëm të organizohemi mirë edhe nëse nuk realizohet ky projekt si duhet, do organizohemi aq mirë sa të ja japim dënimin e merituar në zgjedhje”, tha Vullnet Akiki – kryetar i B.L. Pallçishtë.

Kryetari i komunës së Bogovinës thotë se projekti është nga fundi. Ai ka kërkuar mjete shtesë për vazhdim e punimeve.

“Rrjeti i ujit në fshatin Pallçishtë  është duke u kryer nga Qeveria. Presim aneks projektin për një pjesë shtesë që është duke u bërë dhe nëse ministria nuk e kalon atëherë ne kemi paraparë, kemi ndarë mjete. Atëherë do të hapim thirrje që ta realizojmë vetë nga komuna e Bogovinës”, shtoi Besnik Emshiu, kryetar i komunës së Bogovinës.

Fshati Pallçishtë me ujë furnizohet nga një lum, ndërsa banorët për momentin nuk kanë as ujë teknik. Për ujë të pijshëm banorët furnizohen nga çezmat publike në qytetin e Tetovës dhe fshatrat përreth.

Ndryshe për këtë problematikë banorët e këtij fshati disa herë kanë protestuar, kohë më parë bllokuan edhe rrugët.