Të prodhosh rrymë për nevojat e shtëpisë dhe atë që nuk e shfrytëzon ta kthesh në rrjet – ky është koncepti i prosumatorit, i cili po zgjon gjithnjë e më shumë interes. Pikërisht për mundësitë që ofrojnë panelet fotovoltaike dhe për përfitimet e energjisë diellore u diskutua në sheshin e qytetit të Kërçovës.

“Ta shfrytëzojnë energjinë diellore që do të prodhojë energji elektrike, të mos jenë të kyçur tek EVN ose nëse kyçen tek EVN të bëhen prodhues kjo do të thotë që në të njëjtën kohë atë që e prodhojnë ta shfrytëzojnë, ndërsa atë që nuk e shfrytëzojnë ta kthejnë pas tek EVN dhe kështu kemi kursime të harxhimeve të energjisë elektrike që ju pakësohen nëpërmjet prodhimit të energjisë elektrike”, tha Filip Stojanovski nga Qendra për ndryshime Klimatike.

Pra, për një amvisëri, panelet nuk nënkuptojnë vetëm prodhim të energjisë, por edhe mundësi për të ulur shpenzimet mujore. Megjithatë, kur vjen momenti për investim, qytetarët kanë edhe një dilemë tjetër: a mund të sigurojnë me energjinë e diellit edhe nevojat e shtëpisë gjatë dimrit?

“Shumë pak e shfrytëzojnë këtë lloj sistemi, përqindja nuk është as 1% nga numri i përgjithshëm i amvisërive që përdorin panele të energjisë diellore. Varet prej kapacitetit, i fuqisë 2, 4, 6 kW dhe varet sa është i madh harxhimi. Sa më e madhe të jetë fuqia, më shpejt paguhet sistemi, një përqindje e kthimit të parave është nga 6,7 deri në 10, 12 vjet, varësisht fuqisë së sistemit”, u shpreh Filip Stojanovski nga Qendra për Ndryshime Klimatike.

Interesi për këtë mënyrë të prodhimit të energjisë në Maqedoninë e Veriut po rritet dhe panelet fotovoltaike nuk janë më vetëm zgjedhje për bizneset. Të dhënat zyrtare tregojnë rritje të prodhimit nga centralet diellore – vetëm në shkurt të vitit 2026 janë prodhuar 79.594 megavat-orë energji elektrike, rreth 6.3 për qind më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.