Ministria e Punëve të Brendshme njofton se janë parashtruar kallëzime penale ndaj I.H. (33) dhe S.A. (23), të dy nga Shkupi, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese”, përcjell TV21. Nga MPB shtojnë se gjykatësi i procedurës paraprake ka caktuar ndaj të dyshuarve masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

“Më 15.07.2025, në bazë të një urdhri gjyqësor, është kryer bastisje në shtëpinë ku qëndron I.H., që është në pronësi të babait të tij. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë gjysmë automatike “Crvena Zastava M57” me kalibër 7,62×25 mm, dy karikatorë me plumba të të njëjtit kalibër, plumba me kalibër 7,65 mm dhe dy karikatorë me gjithsej 50 plumba me kalibër 7,62×39 mm. Më 19.07.2025, po ashtu me urdhër gjyqësor, është kryer vastisje në shtëpinë e S.A., ku janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë gjysmë automatike “Reximex TRX9” me kalibër 9 mm, një karikator bosh, një karikator me 15 plumba kalibër 9 mm, mbështjellëse e pasme për dorezën e pistoletës, mjete për pastrimin e tytës, një pajisje për mbushje më të lehtë të karikatorit me plumba, dy pjesë me vidë për bllokimin e këmbëzës së pistoletës, 36 plumba kalibër 9 mm dhe sende të tjera”, thonë mes tjerash nga MPB.



