Organizata “Shqiptaria” reagon ashpër ndaj shfaqjes së një parade ushtarake nga ushtria turke në Prizren, ku janë përdorur simbole dhe elemente të epokës osmane. Në reagimin e saj, organizata thekson se e konsideron Republikën e Turqisë si shtet mik dhe partner strategjik të shqiptarëve në fusha të ndryshme, përfshirë politikën, ekonominë dhe mbrojtjen. Megjithatë, sipas tyre, miqësia mes popujve nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e simboleve që lidhen me një periudhë historike të përjetuar nga shqiptarët si pushtim dhe shtypje.

“Ne e konsiderojmë Republikën e Turqisë shtet mik dhe partner strategjik të shqiptarëve në shumë fusha politike, ekonomike dhe ushtarake. Mirëpo, miqësia mes popujve nuk mund të ndërtohet mbi glorifikimin e simboleve të një periudhe që në kujtesën historike të popullit shqiptar lidhet me pushtimin, robërimin, shtypjen dhe pengimin e zhvillimit kombëtar shqiptar për shekuj me radhë. Parakalimet me simbolikë osmane, si marshimet “Mehter” dhe uniformat e perandorisë osmane në territoret shqiptare, nuk janë shfaqje neutrale kulturore. Ato rikthejnë kujtesën historike të vuajtjeve të popullit shqiptar gjatë sundimit osman dhe për këtë arsye përjetohen si provokim dhe fyerje për dinjitetin historik kombëtar”, thuhet në reagim.

Kjo organizatë i bën thirrje shtetit turk që në të ardhmen të shmangë organizime të tilla në trojet shqiptare, duke argumentuar se veprime të këtij lloji krijojnë pakënaqësi dhe distancë emocionale mes dy popujve, në vend që të forcojnë marrëdhëniet.

“Organizata Shqiptaria i bën thirrje shtetit mik turk që në të ardhmen të shmangë organizime të tilla në trojet shqiptare. Veprime të tilla nuk i shërbejnë forcimit të miqësisë mes popujve tanë, por krijojnë distancë emocionale, pakënaqësi dhe largim mes shqiptarëve dhe turqve”, thuhet në reagimin e Organizatës “Shqiptaria”.

Organizata thekson se miqësia e vërtetë ndërtohet mbi respektin reciprok për historinë dhe ndjeshmëritë kombëtare, e jo mbi rikthimin simbolik të perandorive të së kaluarës.

“Miqësia ndërtohet mbi respektin reciprok për historinë, ndjeshmëritë kombëtare dhe dinjitetin e secilit popull — jo mbi rikthimin simbolik të perandorive të së kaluarës”, thuhet në fund të reagimit.