Vazhdojnë përplasjet politike pas mesazhit të pretenduar të ministrit të Jashtëm – Ferit Hoxh. Sipas VLEN, fshirja e postimit nuk mjafton, por duhet të kërkohet falje publike, ndërsa kritikohet edhe mungesa e reagimit nga Tirana zyrtare. Sipas VLEN, kjo nuk është vetëm çështje politike, por ofendim ndaj një pjese të madhe të shqiptarëve në vend, duke kërkuar përgjegjësi dhe respekt institucional.
“Në të vërtetë, BDI nuk po mbron Shqipërinë. BDI po mbron përçmimin dhe fyerjen ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ata që për 20 vjet e trajtuan shqiptarin si votë, si numër, si militant dhe si pronë partie, sot nuk kanë problem kur dikush e quan “idiot”. Sepse për ta, shqiptari ka vlerë vetëm kur hesht, bindet dhe voton për ta. VLEN nuk është kundër Shqipërisë. VLEN është kundër secilit që fyen shqiptarët, qoftë në Shkup, Tiranë apo kudo tjetër”, thonë nga VLEN.
Nga ana tjetër, në një reagim për media, BDI akuzon koalicionin VLEN se po vepron në një linjë me VMRO-DPMNE, duke sulmuar Shqipërinë dhe duke mos mbrojtur interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas partisë opozitare, përfaqësuesit shqiptarë në qeveri po përdoren për qëllime politike kundër Shqipërisë, në vend që të fokusohen në të drejtat e shqiptarëve, si barazia, përfaqësimi dhe integrimi evropian i vendit.
“Prej javësh Hristijan Mickoski ka hapur sulme politike ndaj Shqipërisë, sepse Shqipëria nuk hesht përballë cenimit të barazisë së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe sepse ecën përpara në procesin evropian. Në vend që të mbrojnë dinjitetin e shqiptarëve këtu, VLEN u rreshtua menjëherë në të njëjtën vijë me VMRO-DPMNE”, thonë nga BDI.
Në ndërkohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka quajtur këto pretendime të pavërteta dhe të fabrikuara për qëllime politike. Në një intervistë për Albanian Post, ministri Ferit Hoxha tha se kjo çështje tashmë është sqaruar dhe se nuk ka çfarë të shtojë. “Qëndrimet tona mbi politikën e jashtme nuk komunikohen as me SMS dhe as me WhatsApp. Ato bëhen përmes kanaleve zyrtare dhe transparente”, tha Hoxha.
