Paralajmërim për valë të re shtrenjtimi: Bytyqi thotë se brenda dy javësh do të rriten çmimet

Përshkallëzimi i situatës në Lindjen e Mesme mund të reflektohet shumë shpejt edhe në ekonominë e rajonit. Ekonomisti Fatmir Bytyqi paralajmëron se efektet e para mund të ndihen brenda dy javësh, me rritje të çmimeve dhe të inflacionit.

Duke folur në emisionin “Click Plus”, Bytyqi tha se tensionet në Lindjen e Mesme pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në tregje, ndërsa qytetarët do ta ndjejnë më së shumti goditjen në standardin e jetesës.

“Në dy javët e ardhshme do ta shohim efektin e parë. Paratë që qytetarët i kanë, sidomos ata me të ardhura më të ulëta, do të vlejnë më pak, sepse me të njëjtat të ardhura do të mund të blejnë më pak”, tha Bytyqi.

Ai pati kritika edhe ndaj sektorit privat dhe bizneseve, duke theksuar se në shumë raste ato kanë përfituar nga situatat e krizave duke rritur çmimet.

“Bizneset shpesh nuk janë sjellë në mënyrë morale dhe etike gjatë krizave. Zakonisht fitimet më të mëdha i bëjnë pikërisht në periudha krize. Edhe gjatë kohës kur kam qenë në qeveri, me masa të ndryshme jemi përpjekur ta ndalim këtë, por përvoja tregon se kjo vazhdon të ndodhë”, deklaroi Bytyqi.