Gazetar: Suad Bajrami
Kryeministri Hristijan Mickoski përsërit qëndrimin se në Shkollën e Mesme Policore do të formohet paralele edhe në gjuhën shqipe, megjithatë thotë se kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Brendshme e cila duhet ta bëjë në kuadër të ligjit, duke respektuar edhe gjuhët tjera krahas shqipes.
“Për atë do ta pyesni Ministrinë e Punëve të Brendshme, ata do t’u japin përgjigje. Ne si Qeveri e thamë atë për të cilën u pyetëm se në pajtueshmëri me Ligjin do të formohet paralele ku nxënësit do të munden të mësojnë në gjuhën shqipe”.
“Të jem më i saktë. Nëse ka edhe në gjuhën turke do të mësojnë, edhe në gjuhën rome. Pasi juve vetëm ajo ju intereson, për atë ju përgjigjem. Pasi qytetarët e këtij shteti të gjithë e mbushin buxhetin”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Megjithatë, nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk japin përgjigje nëse kanë filluar procedurën për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe dhe nëse është siguruar kuadër që do të ligjorë në lëndët e caktuara. Nuk ka përgjigje edhe për pyetjen nëse do të nevojiten ndryshime ligjore për hapjen e paraleles.
Për të gjitha këto pyetje nuk është i qasshëm për t’u përgjigjur edhe përfaqësuesi më i lartë shqiptar në MPB, zëvendësministri Astrit Iseni.
Nëse shihet korniza ligjore që rregullon funksionimin e shkollës policore, në nenin 7 thuhet se për çështjet që nuk janë rregulluar me këtë ligj, ndërsa kanë të bëjnë me Shkollën e Mesme Policore, zbatohen dispozitat e Ligjit për Arsim të mesëm. Megjithatë, mbetet problematike çështja e gjuhës, pasi në nenin 10 kandidatët për shkollën policore obligohen që të flasin aktivisht gjuhën maqedonase.
Çështja e mundësisë së hapjes së paraleles në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme Policore u hap, pasi në konkursin për pranimin e 310 nxënësve, vetëm 11 apo rreth 3% ishin shqiptarë. Për përfaqësimin mjaft të ulët, zëvendësministri i Brendshëm Astrit Iseni u arsyetua përpara opinionit se shqiptarët kanë qenë të painteresuar. /Alsat.mk
The post Paralelja shqipe në Shkollën Policore, Mickoski: Të ketë në shqip, por edhe në gjuhë tjera appeared first on Alsat.
