Nuk mund të them se të gjitha problemet janë zgjidhur, sepse shumë probleme janë trashëguar. Por ajo që është e rëndësishme është se po punojmë dhe po përpiqemi që gjithçka që është trashëguar ta zgjidhim. Këtë e deklaroi kryeministri Mickoski, i cili pretendon se rezultatet në planin ekonomik, pas pak më shumë se dy vitesh, kanë filluar të shfaqen. Sipas tij, jo vetëm që ekonomia është rimëkëmbur, por kemi një rritje që është ndër më të lartat në Evropë. Ai thotë se rritje është shënuar edhe në prodhimin industrial, ndërsa inflacioni më në fund është stabilizuar.
“Kjo rritje prej 4,3 për qind, kur t’i shtohet edhe rritja në tremujorin e parë prej 3,1 për qind, jep përafërsisht një shifër prej 3,7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti, që është një nga rritjet më të fuqishme në Evropë. Tani, përsëri u bëj thirrje atyre në rrjetet sociale që të fillojnë të tallen me mua, por unë do të qëndroj në qëndrimin tim se kjo është një nga katër rritjet më të mëdha të PBB-së për momentin, si në gjysmën e parë të vitit, ashtu edhe në tremujorin e dytë, në kushtet kur për të njëjtin tremujor të vitit 2025 kemi pasur rritje prej 3,5 për qind”, u shpreh Mickoski.
Sa i përket borxhit publik, sipas kryeministrit Mickoski, dy pretendimet e opozitës janë absurde dhe tregojnë mungesë njohurish për këtë temë. Për pretendimin e parë, se pse nuk janë regjistruar kreditë që Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore i merr, kryeministri thotë se kjo është për shkak se ato nuk përfshihen në borxhin publik. Ai shton se bëhet fjalë për kredi kornizë, përkatësisht, ndërsa përfundojnë aktivitetet, dorëzohen faturat, tërhiqen kreditë dhe kryhen pagesat.
Për pretendimin e dytë, Mickosk i përgjigjet:
“Pretendimi i dytë i tyre ishte se pse vendimi i Qeverisë i 31 gushtit për huamarrje në tregun ndërkombëtar nuk ishte përfshirë në rishikimin e buxhetit. Sepse ai vendim është për emetimin e një euroobligacioni vitin e ardhshëm, në mënyrë që të mund t’i kthejmë borxhet e tyre”
Opozita, LSDM-ja, edhe sot përmes një komunikate akuzoi se Qeveria po manipulon me informacionet për borxhin publik.
“Pasi LSDM-ja publikisht e bëri të ditur dokumentin për huamarrjen e re të qytetarëve në vlerë prej 1,3 miliardë eurosh, Qeveria po përpiqet të arsyetohet me gënjeshtra dhe manipulime të reja. E vërteta është se Qeveria e Mickoskit nuk ka para në buxhet dhe nuk mund ta përmbyllë as këtë vit fiskal pa huamarrje të re. E vërteta është se po negociohet edhe për borxhe të reja me disa kreditorë. E vërteta është se deri në fund të vitit do të duhet të ketë huamarrje të re dhe më të madhe të jashtme, dhe ajo do të jetë jashtëzakonisht e shtrenjtë, me interes jashtëzakonisht të lartë”, thonë nga LSDM.
Dje, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi se Qeveria planifikon huamarrje të re në vlerë prej 1,3 miliardë eurosh, pikërisht në një kohë kur, siç thotë ai, qytetarët po përballen me standard gjithnjë e më të vështirë jetese, ndërsa kompanitë presin shuma të mëdha për rimbursimin e TVSH-së.
