Me 411 vota pro dhe 120 kundër, eurodeputetët miratuan versionin përfundimtar të Raportit për progresin e vendit në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të përgatitur nga raportuesi për Maqedoninë, Tomas Vajc. Megjithatë, amendamenti 3 i propozuar nga Vajc u refuzua. Me të duhej të fshihej paragrafi 73 që përmend Protokollin e Dytë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Votimi i sotëm u mbajt pas debatit të djeshëm, për të cilin zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për çështje evropiane, Bekim Sali, vlerësoi se mesazhet e eurodeputetëve përfaqësojnë një konfirmim të fortë të perspektivës evropiane të vendit dhe një nxitje shtesë për vazhdimin e procesit të reformave.